Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1994 ka miratuar ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”

TIRANË (AA) – Në Shqipëri shënohet sot dita e përkujtimit të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, ku janë organizuar disa aktivitete në përkujtim të kësaj dite, raporton Anadolu Agency (AA).

Me rastin e 27 qershorit, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe Shoqata “Çamëria” organizuan në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, një aktivitet përkujtimor, me pjesëmarrjen edhe të piktorëve shqiptarë të cilët realizuan piktura për ekspozitën “Unë e dua Çamërinë”.

Kryearti i komanduar i Shoqatës “Çamëria”, Dritan Sejko, në fjalën e tij gjatë aktivitetit tha se me aktivitetet e organizuara në kuadër të “Javës së Historisë dhe Kulturës Çame”, janë përpjekur të sensibilizojnë sa më shumë shqiptarët për çështjen e Çamërisë.

“Sot ne jemi mbledhur për përkujtimin e 74-vjetorit të ditës kulmore të gjenocidit të shovinizmit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Por nuk është thjeshtë 74-vjetori, sepse ky gjenocid ka nisur më shumë se një shekull më parë. Shqiptarët e Çamërisë kanë hequr jo vetëm gjenocidin grek, por edhe gjenocidin e komunizmit. Ne sot këtu jemi mbledhur edhe për të nderuar artistët që me punën e tyre na sollën këto bukuritë e Çamërisë në mes të Tiranës”, tha Sejko.

Mesila Doda, ish-deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe sekretare e përgjithshme e PDIU-së, tha se kërkojnë zyrtarisht nga kryeministri i Shqipërisë që Varrezat e Kllogjerit në Sarandë të shpallen varreza monumentale që të ketë ceremonial shtetëror.

Pjesë e aktivitetit janë bërë edhe piktorët shqiptarë të cilët rrëfyen sesi vizituan në mënyrë të fshehtë Çamërinë.

Nga masakrat dhe gjenocidi grek ndaj popullsisë çame në vitet 1944-1945 mbetën të vdekur mijëra shqiptarë të Çamërisë dhe mijëra të tjerë u shpërngulen nga tokat e tyre.

Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1994 ka miratuar ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.