“Falë të kaluarës historike në mes të popullit turk dhe popullit të Kosovës jemi sot në këtë pikë të bashkëpunimit. Ne si Posta Turke jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Postën e Kosovës në çdo fushë”, tha Çetinkaya

PRISHTINË (AA) – Me një ceremoni zyrtare të mbajtur në objektin kryesor të Postës së Republikës së Kosovës në Prishtinë, në prani të zyrtarëve të lartë, punonjësve administrativ dhe postierëve, ky institucion kosovar ka pranuar një donacion prej 10 motoçikletave nga Posta e Republikës së Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Donacioni ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që ofrohen për popullin e Kosovës. Në ceremoninë e pranimit të motoçikletave, ambasadorja turke në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, tha se është dëshmitare e një bashkëpunimi të mirëfilltë në mes dy postave të dy vendeve.

Ajo duke theksuar mbështetjen e Turqisë me anë të institucioneve të saj ndaj Kosovës, shtoi se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për këtë “vende mik”.

Ambasadorja turke tha se Turqia është shteti i tretë që investon një numër të madh të investimeve në Kosovë, duke theksuar se tregtia në mes dy vendeve ka arritur shifrën prej 248 milionë euro. Ajo shtoi se kjo shifër nuk është e mjaftueshme dhe se dëshirojnë të rrisin bashkëpunimin dhe investimet e biznesmenëve të Turqisë në të ardhmen.

Ndërsa, zv/drejtori i përgjithshëm i Postës së Turqisë, Osman Çetinkaya, u shpreh i kënaqur se kanë zhvilluar flotën e motoçikletave të Postës së Kosovës me anë të këtij donacioni.

“Falë të kaluarës historike në mes të popullit turk dhe popullit të Kosovës jemi sot në këtë pikë të bashkëpunimit. Ne si Posta Turke jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Postën e Kosovës në çdo fushë”, tha Cetinkaya.

Cetinkaya po ashtu bëri të ditur se Posta e Turqisë ka marrë kryesimin e Unionit të Postave Botërore (UPU), e cila po shërben si shembull për të gjitha postat në botë dhe në këtë kontekst do të vazhdojë të ndihmojë postat e shteteve mike.

Ndërkaq, Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha tha se është një nder i madh që pranojnë një donacion të tillë nga Posta e Republikës së Turqisë.

“Në emër të punonjësve të Postës së Kosovës veçanërisht në emër të postierëve dua të falënderoi Postën Turke për këtë donacion i cili padyshim që do të përmirësojë shërbimet postare të Postës së Kosovës”, tha Hoxha duke shtuar se bashkëpunimi në mes dy institucioneve postare as nuk fillon por as nuk mbaron këtu.

Ai bëri të ditur se një ekip i profesionalizuar nga Posta e Turqisë dy javë më parë kanë trajnuar punonjësit e Postës së Kosovës në fusha të ndryshme si në fushën e IT-së dhe shërbimeve postare.

Hoxha po ashtu nënvizoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ai u shpreh falënderues për ndihmat e deritanishme nga Posta e Turqisë e cila ka mbështetur Postën e Kosovës në internacionalizimin e saj duke marrë parasysh se Posta e Kosovës ende nuk është anëtare e UPU-së.