Tifozi i njohur shqiptar, Ismail Morina, i njohur si Ballisti, është liruar më në fund nga burgu. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Ballisti, që ka postuar një foto në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Ismail Morina u arrestua më 10 qershor të vitit të kaluar në Kroaci, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet serbe. Ai kërkohej nga Serbia, si i akuzuari kryesor për ngritjen e dronit me flamurin “Autochtonous”, mbi stadiumin e Beogradit, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, në Tetor të 2014-ës.

Në Kroaci, Ismail Morina iu nënshtrua nëj sërë procesesh gjyqësore, për të shmangur ekstradimin në burgjet serbe, ndërsa në çështje u investuan edhe institucione politike të Shqipërisë, Kroacisë dhe Serbisë.

Më 28 Mars të këtij viti, Kroacia vendosi të transferojë Ballist Morinën drejt Italisë, ku edhe vijoi beteja gjyqësore për lirimin e tij përfundimtar.

Mesditën e sotme, Ismail Morina postoi një foto me konsullin shqiptar në Bari, Adriatik Haskaj, ndërsa falënderon autoritetet shqiptare, italiane dhe kroate, që ndihmuan në dhënien e drejtësisë për të .

Edhe këtë herë Ballisti nuk harron të falënderojë edhe gjithë qytetarët shqiptarë që u angazhuan maksimalisht, duke protestuar gjithandëj, për të kërkuar lirimin e tij.