Sot dy javë, për një status ironik timin, që nuk kishte të bënte asgjë me të ndjerin, por si shenjë mllefi ndaj “kryeministrit” për deklaratat e tij përballë nesh si myslimanë, nuk mbeti kush pa reaguar, pro dhe kundër, sharje e ofendime nga më të ndryshmet, më larguan nga vendi i punës një grup njerëzish për inatet e tyre fetare, dikush kërkoi arrestimin tim, njëri tha: “Ai nuk është hoxhë, veç vetit i thotë hoxhë”, tjetri më quajti showman, disa u distancuan, disa patën frikë të më thërrasin në tel nga frika e përgjimit, familja kërkoi falje pa lejen time dhe shumë çka ndodhi për pak kohë, por nuk mund të kaloj pa i përmendur edhe ata që më përkrahën, më mbrojtën dhe u solidarizuan me mua, përveç atyre përkrahjeve nëpër rrjetet sociale kishte edhe nga ata të shumtë që më telefonuan që rrallë herë kam qëndruar me ta, kishte prej atyre që nuk ngurruan të më ftonin në shtëpitë e tyre si vendstrehim edhe pse nuk pata asnjë kërcënim të vetëm në telefon, madje edhe nga Tirana pata mbështetje në të gjitha mënyrat andaj shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë, edhe ofenduesit edhe përkrahësit.
Por, qëllimi i shkrimit nuk është ky, sot vdiq një djalë në moshën 16 vjeçare, nxënës i Medresesë Alaudin në Prizren, që si pasojë e kushteve ekonomike edhe pse nën moshë, qe i detyruar të punojë për të fituar kafshatën e gojës për familjen e tij, djali i vetëm i familjes, Allahu e pastë mëshiruar dhe familjes ua dhashtë durimin për ta përballuar këtë sprovë.
Ajo që bie në sy por që nuk e panë shumë prej nesh është mungesa e telegrameve ngushëlluese nga “krerët” e shtetit, pozita dhe opozita, nuk u panë edhe ata që më shanë e linçuan.
Sot, “Presidenti”, “Kryeministri”, “Kryeparlamentari” dhe shumë të tjerë është dashur të marrin pjesë në varrimin e të ndjerit për t’i mbuluar turpet e tyre prej dy dekadash.
Sikur rasti i njëjtë të ndodhte te “komuniteti” serb, merreni me mend se çka do të ndodhte!
Pra, si pasojë e keqqeverisjes që nga paslufta e deri më sot, sot, një i mitur duhet të vdes në vendin e punës, për të siguruar mbijetesën edhe pse paga mujore e “udhëheqësve” të shtetit është më e madhe në rajon përkundër që konsiderohemi shteti më i varfër, po është e vërtetë se jemi populli më i varfër sepse lejuam të pasurohen një grup njerëzish vetë me votën tonë.
Andaj sot i rrihet shpina të “fortit” dhe i bëhet gropa të “dobëtit”, për ta siguruar ndonjë asht nën sofër!
Dhe akoma më thonë hesht, sepse ti je i vetëm, i pafuqishëm përballë tyre, e unë iu them, zëri im do të dëgjohet nëse jo sot, nesër padyshim që po!
Sot, heshtën të gjithë, por jo edhe e vërteta!
Sot, vdiq njerëzimi, por njerëzit akoma jetojnë!

Dhe në fund po e përmbyll me thënien e më të dashurit tonë: “Ai që heshtë përballë padrejtësive, është shejtan memec.”

Unë, i vetëquajturi hoxhë!

Shkruan: Mr.sci.Bedri Bytyçi