HARADINAJ PËRFSHIHET NË INCIDENTIN QË NDODHI NË 140 VJETORIN E LIDHJES SË PRIZRENIT (VIDEO)

Shënimi i 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit nuk ka kaluar pa incident. Ishte një pasardhëse e gjeneral Mehmet Dellalles, e cila doli në foltore pa ftesë gjatë akademisë solemne të shënimit të Lidhjes së Prizrenit, e cila nxiti Kryeministrin Ramush Haradinaj të reagojë dhe të ia ndërpresë fjalimin.

“Profesor, etnograf të nderuarit dhe të rrojtët rrogozit, kam fatin që jam pasardhësja e vetme e lindjeve të djemve të gjeneral Mehmet Dellalles, që iu besua posti i Ministrisë së luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit”, tha ajo gjatë fjalimit të saj në foltore.

“I vetmi anëtar që përfaqësoi trojet që sot janë mbetur jashtë Shqipërisë Londineze, shpreh keqardhjen e thellë që jo vetëm në kohën e komunizmit, kam pasur babën në burg vetëm pse ka qenë djali i Mehmet Dellalles”, shtoi ajo.

Fjalimi i saj nxiti kryeministrin Ramush Haradinaj që të reagojë personalisht, duke e kapur për dore zonjën për ta larguar nga foltorja.

Ajo reagoi duke i thënë kryeministrit që nuk ka të drejtë ta tërheqë për dore në atë formë.

Më pas reaguan organizatorët dhe e larguan zonjën, e cila dëgjohej po ashtu duke u fjalosur edhe më tutje atje mbrapa skenës.